| U mbajtën wiki-maratone në Veles dhe në Dibër |
|
|
|
| Lajme - Aktivitete |
| E premte, 27 Prill 2012 14:56 |
|
Në kuadër të projektit për bashkëpunim të decentralizuar ndërmjet Maqedonisë dhe Normandisë së Ulët, fondacioni Metamorfozis në bashkëpunim me partnerët lokalë Fondacionin Fokus nga Velesi dhe Qendrën për zhvillim të qëndrueshëm të komunitetit në Dibër, kah fundi i muajit prill organizoi 2 wiki-maratone. Qëllimi i këtyre ngjarjeve ishte të promovohet wiki-teknologjia si mjet për shpërndarjen e informatave me rëndësi lokale në më tepër komuna të Republikës së Maqedonisë dhe të ngritet vetëdija për pjesëmarrje aktive qytetare duke i shfrytëzuar teknologjitë e reja.
Pas maratonit në Veles, pasoi wiki-maratoni në Dibër, i cili u mbajt më 26 prill me fillim në ora 14.00, në hapësirat e Qendrës për zhvillim të qëndrueshëm të komunitetit në Dibër (Qendra për kulturë). Në maraton ishin të pranishëm 16 pjesëmarrës, vullnetarë, nxënës të shkollës "Said Najdeni" nga Dibra, si dhe përfaqësues nga Qendra për zhvillim të qëndrueshëm të komunitetit në Dibër. Gjatë maratonit u krijuan rreth 10 artikuj në gjuhën shqipe dhe atë maqedone. Pjesëmarrësit u përqëndruan në plotësimin e artikujve ekzistues për qytetin e Dibrës me informata të dobishme plotësuese. Ueb-faqja wiki.mk ka për qëllim ta plotësojë mungesën e informatave me rëndësi lokale – në disa komuna të Maqedonisë. Këto ngjarje kanë për qëllim ta promovojnë wiki-teknologjinë si zgjidhje e lirë dhe efikase për këto probleme, duke vendosur disa wiki-portale që janë në dispozicion të drejtpërdrejtë të komuniteteve lokale. Tash për tash funksionojnë 3 wiki-portale për komunën e Shkupit, Velesit dhe të Dibrës, mirëpo përmbajtjet që janë pjesë e wiki.mk kanë të bëjnë me rajonin më të gjerë të Shkupit, të Vardarit dhe rajonin jugperëndimor, si dhe me komuna të tjera të vendit. Gjatë periudhës së ardhshme do të mbahen edhe 2 wiki-maratone, me 4 maj, me fillim në orën 14.00, në Qendrën për zhvillim të qëndrueshëm të komunitetit në Dibër (Qendra për kulturë) dhe me 9 maj, në Fondacionin Fokus në Veles, me fillim në orën 17.00. Kah fundi i muajit maj dhe në fillim të muajit qershor, maratone të këtilla do të mbahen edhe në Shkup. |