| Itali: një vegël për e-libra e bazuar në softuer të lirë i zvogëlon mbeturinat e letrës në parlamentin italian |
|
|
|
| Lajme - Bota |
| E premte, 09 Shtator 2011 16:13 |
|
Scriba eBook Maker, një vegël për krijim të dokumenteve për e-lexues që është e bazuar në softuer të lirë, ndihmon të zvogëlohet harxhimi i letrës në parlamentin italian. Senatorët gjithnjë e më shumë i kombinojnë telefonat e mençur dhe pajisjet-tablet me shërbimin Scriba për e-dokumente, që atyre u ofron qasje praktike deri te të gjitha llojet e dokumenteve. Scriba eBook Maker publikon dokumente në formatin ePub që është i pavarur nga platforma, duke e optimizuar pamjen dhe tekstin për çdo ekran. Ai gjithashtu konverton dokumente në formate të tjera që janë më pak të përshtatshme për e-lexim, siç janë HTML, .pdf dhe XML. "Përshtypja e shfrytëzuesit është shumë më e mirë kur dokumentet publikohen në formatin ePub", thotë Robert Batistoni, programuesi kryesor i projektit dhe Karlo Marçeti, shef i Zyrës së Senatit për zhvillimin e TI-së. Tash për tash Scriba shfrytëzohet kryesisht nëpërmjet shërbimeve "www.senato.it/ebook" dhe "tablet.senato.it" që janë në dispozicion në internet. Programuesit janë duke shtuar edhe mënyra të tjera për qasje: "Ky është vetëm fillimi". Scriba është zhvilluar në fillim të vitit për diku rreth tre muaj. Ajo është akoma një shërbim eksperimental, që ka për qëllim ta zvogëlojë sasinë e letrave që qarkullojnë në senatin italian. Ideja origjinale rrodhi nga Zyra e Senatit për marrëdhënie me publikun, e cila dëshironte të ofrojë shërbim për shpërndarje të informatave nga Senati dhe agjencitë informative në formatin eBook. Scriba është shkruar në Java dhe mund të shfrytëzohet si vegël me rresht komandues ose mund të ofrohet si shërbim për ndërmarrjet, e vendosur në serverë Tomcat ose JBoss. Kjo vegël tani krijon e-libra në formatet ePub, Zip, e së shpejti edhe në formatin Kindle. Burimi: OSOR.eu "IT: Open source e-book tool reduces paper waste at Italian parliament" 8 shtator 2011. |