Shqip
Почетна TIK Lajme Maqedoni Maqedoni: Rrezik nga censura nëpërmjet ligjit të ri për ofendim dhe shpifje
Maqedoni: Rrezik nga censura nëpërmjet ligjit të ri për ofendim dhe shpifje pdf Shtyp Email
Lajme - Maqedoni
E enjte, 27 Shtator 2012 15:16
Pjesët e Propozim-ligjit për përgjegjësi qytetare për ofendim dhe shpifje që kanë të bëjnë me komunikimin nëpërmjet internetit mund të çojnë deri te mbyllja e plotë e mundësive për debat publik nëpërmjet ueb-faqeve që janë të regjistruara në Maqedoni dhe duke e nxitur censurën, e shkelin Nenin 16 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë.

Propozim-ligji, i cili momentalisht është në lexim të parë në Kuvend, përmban edhe pjesë që kanë të bëjnë me punën e “ofruesve (provajderëve) të shërbimeve të internetit”, me ç’rast si të tillë, në mënyrë eksplicite përmenden portalet, por vetë termi provajder nuk është definuar në mënyrë precize, kështu që mund t’i referohet edhe çdo lloji tjetër të shërbimit onlajn: ofrimit të qasjes në përgjithësi, aplikacioneve për bisedë të drejtpërdrejtë ndërmjet shfrytëzuesve, forumeve, përmbledhjeve dhe riorientimeve kah përmbajtjet, shërbimeve për udhëheqje të blogeve, veçanërisht atyre që lejojnë komentim nga palët e treta në fund të postimeve etj.

Duke i pasur parasysh përvojat e deritanishme nga zbatimi në praktikë i termeve të definuara në mënyrë të paqartë, vetë gjykatësi do të duhet të vendosë se a do ta konsiderojë “provajder të shërbimeve të internetit”, gjegjësisht bashkëpunëtor, edhe bloguesin i cili “ka lejuar” në pjesën për komente nën postimin e tij, ndonjë i panjohur të lë koment që është ofendues për ndonjë person të tretë, ose të paraqitet ndonjë link që çon deri te ndonjë blog ose ueb-faqe tjetër, që eventualisht përmban ofendime ose shpifje për ndonjë person të tretë.

Neni kryesor që ka të bëjë me internetin është neni 11, i cili thotë:

Përgjegjësia e provajderit të shërbimeve të internetit

Neni 11

(1) Provajderi i shërbimeve të internetit mban përgjegjësi, së bashku me autorin, për kompensimin e dëmit që është si rezultat i ofrimit të qasjes deri te informatat ofenduese ose shpifëse.

(2) Provajderi i shërbimeve të internetit nuk mban përgjegjësi për ndonjë ofendim ose shpifje të shprehur e që është rezultat i ofrimit të qasjes deri te informatat ofenduese ose shpifëse në qoftë se:

1) dëshmon se autori i informatës së publikuar në ueb-portal nuk ka vepruar nën kontrollin ose ndikimin direkt ose indirekt të provajderit të shërbimeve të internetit dhe

2) dëshmon se nuk ka qenë i vetëdijshëm e as që është dashur të jetë i vetëdijshëm se ndonjë material ofendues ose shpifës është publikuar në ueb-portal, ose, në afat prej 24 orësh është bërë i vetëdijshëm për karakterin ofendues dhe shpifës të tekstit ose informatës së publikuar, dhe i ka ndërmarrë të gjitha masat teknike dhe të tjera për largimin e informatës së tillë. Kërkesë për largimin e informatës mund të parashtrojë edhe personi i dëmtuar.

Duke pasur parasysh se çdo provajder i shërbimeve të internetit, gjegjësisht administrator i ueb-faqes, ka mundësi teknike për kontroll mbi të gjitha përmbajtjet (në fund të fundit formë e kontrollit është fshirja, gjegjësisht largimi i ueb-faqes nga interneti) në kundërshtim me parimin për supozim të pafajësisë, me këtë nen, pronarët vihen para një situate ku duhet patjetër ta dëshmojnë pafajësinë e tyre, në vend që ai i cili i padit të ofrojë dëshmi për fajin e tyre, gjegjësisht qëllimin e keq.

Ky ligj do t’i obligojë portalet që të censurojnë përmbajtje të publikuara nga shfrytëzuesit e tyre me kërkesë të “personit të dëmtuar”, e jo me urdhëresë të gjyqit në bazë të shkeljes së dëshmuar dhe të dënuar. Për shembull, ndonjë funksionar qeveritar mund të jetë i ofenduar nga prezantimi i dëshmive për korruptimin e tij. Nëse provajderi nuk mund të dëshmojë se ka bërë gjithçka që ta mbrojë autoritetin e tij, atëherë ballafaqohet me përgjegjësi të njëjtë për përmbajtjet, sikurse edhe qytetari që i ka publikuar ato.

Duke pasur parasysh se ballafaqohen me rrezikun që të paguajnë dënime deri në 27.000 euro, ka shumë gjasa që provajderët e shërbimeve të internetit, që të mos rrezikojnë të paditen, do të pamundësojnë publikimin e të gjitha llojeve të përmbajtjeve të gjeneruara nga shfrytëzuesit ose në rastin më të mirë do t’i fshijnë të gjitha përmbajtjet për të cilat do të marrin kërkesa të tilla. Në të kundërtën, përsëri u ekspozohen harxhimeve për shkak se do të jenë të detyruar të punësojnë moderatorë (avokatë dhe verifikues të fakteve), të cilët që më parë do të mund ta vlerësojnë çdo koment se a është ofendues ose shpifës, si dhe së paku nga 3 administratorë që do të jenë në dispozicion në tre ndërrime, gjegjësisht 24 orë, 7 ditë në javë (edhe gjatë fundjavëve dhe festave shtetërore), që t’u përgjigjen me kohë të gjitha kërkesave për fshirje, në afatin e paraparë me ligj prej 24 orëve.

Mundësitë për keqpërdorim arbitrar, që do të hapeshin me miratimin e një ligji të këtillë, duke i nxitur provajderët e shërbimeve të internetit në të gjithë sektorët shoqërorë, e veçanërisht në sektorin privat dhe atë të shoqërisë civile, që të fusin në përdorim procedura për censurë të përmbajtjeve të gjeneruara nga shfrytëzuesit e tyre, janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me parimet themelore për liri të shprehjes dhe ndalesë të censurës, që i përmban neni 16 i Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë.

Neni 16

Garantohet e drejta e bindjes, ndërgjegjes, mendimit dhe e shprehjes publike të mendimit.

Garantohet liria e fjalës, paraqitjes publike, informimit publik dhe e themelimit të lirë të institucioneve për informim publik.

Garantohet qasja e lirë te informatat, liria e pranimit dhe e bartjes së informatave.

Garantohet e drejta e përgjigjes në mjetet e informimit publik. Garantohet e drejta e përmirësimit në mjetet e informimit publik. Garantohet e drejta për mbrojtje të burimit të informatës në mjetet e informimit publik.

Censura është e ndaluar.

Metamorfozis i fton deputetët e Kuvendit të RM-së që ta refuzojnë miratimin e ligjit në këtë formë. Sjellja e zgjidhjeve ligjore të cilat në mënyrë të drejtpërdrejtë mund të ndikojnë në mbijetimin ekonomik të cilit do qoftë shfrytëzues të shërbimeve të internetit, të cilët përbëjnë mbi 60% të popullatës së Maqedonisë, për shkak të shprehjes së mendimit në internet dhe me të cilat thjesht u urdhërohet e-botuesve që të zhvillojnë mekanizma për censurë, në qoftë se nuk dëshirojnë t’i ekspozohen rrezikut që të dënohen me dënime drakonike në të holla, janë në kundërshtim të plotë me të drejtën themelore njerëzore për liri të të shprehurit dhe Kushtetutën e RM-së.

Për shkak të kompleksitetit dhe gjithëpërfshirjes së pasojave nga miratimi i këtij ligji, Metamorfozis konsideron se procesi i miratimit duhet të realizohet në mënyrë inkluzive dhe në përputhje me Udhëzimin për mënyrën e veprimit gjatë punës së ministrive për përfshirejn e palëve të interesuara në procedurën për përgatitjen e ligjeve që është miratuar me dekret të Qeverisë së RM-së (Gazeta Zyrtare nr. 150 e datës 27.10.2011) dhe që gjendet në ueb-faqen e zëvendëskryeministrit për ekonomi, në përputhje me kornizën juridike për Vlerësimin e ndikimit të rregullativës (VNR), duke përfshirë edhe Kodeksin për konsultime me publikun gjatë përgatitjes së rregullativës dhe Doracakun për vlerësim të ndikimit të rregullativës, që gjenden në ueb-faqen e Ministrisë për shoqëri informatike dhe administratë. Në atë proces duhet të përfshihen të gjitha palët e interesuara, duke filluar nga provajderët e shërbimeve të internetit e deri te vetë qytetarët që janë shfrytëzues të shërbimeve të internetit, bloguesit, shfrytëzuesit aktivë të rrjeteve sociale dhe lexuesit e portaleve mediatike, të cilët e shprehin mendimin e tyre nëpërmjet komenteve, si dhe përfaqësuesit e sektorit privat, civil dhe arsimor, veçanërisht ekspertët për të drejtat e njeriut. Për vlerësimin konstruktiv të efekteve të ligjit nëpërmjet analizave krahasuese me vendet e jashtme, në këtë proces duhet të kyçen edhe institucionet relevante ndërkombëtare, para së gjithash Përfaqësuesi i lartë i OSBE-së për lirinë e mediumeve, si dhe organizatat ndërkombëtare që merren me mbrojtjen e lirisë së të shprehurit.

Një proces i tillë mungon në rastin e Propozim-ligjit për përgjegjësi qytetare për ofendim dhe shpifje, i cili deri ne momentin e publikimit të këtij reagimi nuk është publikuar në ueb-faqet zyrtare qeveritare: ЕNER – regjistri i vetëm kombëtar elektronik i dispozitave të RM-së dhe portali për debate publike moderne е-Demokratija.mk. Në qoftë se Qeveria e RM-së dhe Kuvendi kanë për qëllim që ky ligj të ketë pasoja pozitive për zhvillimin e demokracisë dhe përmirësimin e kualitetit të jetesës në Maqedoni, ligji patjetër duhet të tërhiqet nga procedura kuvendore dhe procesi të zhvillohet prej fillimit.

Metamorfozis i fton të gjithë faktorët shoqërorë, duke filluar nga qytetarët individualë, pastaj organizatat joqeveritare, institucionet arsimore dhe shkencore, firmat private, veçanërisht provajderët e shërbimeve të internetit, mediumet dhe e-botuesit, si dhe trupat qeveritarë, veçanërisht ato që merren me mbrojtjen e të drejtave dhe liritë e qytetarëve, të kyçen aktivisht në procesin e pengimit të miratimit të këtij dhe cilësdo “zgjidhje” tjetër ligjore që ofron edhe mundësinë më të vogël për rrezikimin e lirisë së të shprehurit në Republikën e Maqedonisë.

Metamorfozis e dërgon këtë reagim deri te institucionet kompetente të Republikës së Maqedonisë dhe publiku i gjerë, si dhe te Përfaqësuesi i lartë i OSBE-së për lirinë e mediumeve, Këshilli i Evropës, dhe deri te organizatat ndërkombëtare që punojnë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut: ЕDRI – Të drejtat digjitale evropiane, Amnesty International, Index on censorship, Human Rights Watch dhe Raportuesit pa kufinj.

 

Tags: censurë , ligj , ofendim , shpifje , propozim
 

Botimet tona

  • image
  • image
  • image
  • image
  • image
  • image
  • image
  • image
  • image

Rrjeti ballkanik për përfaqësim gjatë menaxhimit të e-mbeturinave

Privatësia në internet në mënyrë të lehtë

Filmovi-opme-alb
Igri-opme-alb

ifex-member-white

Creative Commons iconPërveç në rastet kur në mënyrë eksplicite nuk është theksuar ndryshe, përmbajtjet e kësaj ueb-faqeje janë të licencuara
sipas licencës Creative Commons Thekso Burimin - Jokomerciale - Pa vepra të adaptuara 2.5.